Marrëveshje për financimin e segmentit hekurudhor Kriva Pallankë–Deve Bair

Data:

Shpërndaje:

Me nënshkrimin e sotëm të marrëveshjes për grantin investues të siguruar përmes Kornizës së investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF) të Bashkimit Evropian, si dhe marrëveshjeve të financimit me Bankën Evropiane të Investimeve (BEI) dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), fillon faza e tretë e financimit të ndërtimit të segmentit hekurudhor Kriva Pallankë – Deve Bair të Korridorit 8.

Nënshkrimi i marrëveshjes është bërë në Qeveri, ku morën pjesë kryeministri Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, Ben Nupnau – zëvendësshef i Delegacionit të BE-së, Fatih Turkmenoglu – drejtori i BERZH-it për Maqedoninë e Veriut, Bjorn Gabriel drejtor i BEI-t në Maqedoni, si dhe drejtori i Hekurudhave – Infrastrukturë, Sinisha Ivanovski.

Përmes Kornizës së investimeve në Ballkanin Perëndimor të BE-së është siguruar grant prej 149 milionë euro për ndërtimin e segmentit të tretë të korridorit hekurudhor 8.

“Nënshkrimi i sotëm paraqet vazhdimësi të vizionit nga kjo Qeveri – që Maqedonia të përdorë pozicionin e saj unik si udhëkryq i dy korridoreve, 8 dhe 10 dhe në këtë mënyrë të dëshmojë vendin e saj si zemra e Ballkanit. Ndërtimi i Korridorit 8 është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë. Kjo është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse pas pothuajse dy vitesh pune, po arrijmë në një projekt real dhe të realizueshëm. Arritëm të bëjmë marrëveshje me Bullgarinë për ndërtimin e një tuneli hekurudhor ndërkufitar që duhet të lidhë të dy vendet. Presim që takimi i dytë ndërqeveritar të mbahet në Shkup në fund të këtij muaji, ndërsa mesazhi është i qartë – të dy vendet po i dërgojnë një letër të përbashkët BE-së, BEI-t dhe BERZH-it, për të siguruar grant për ndërtimin e tunelit i cili jam i bindur, do të jetë shumë më i madh se fondet e grantit që janë diskutuar deri më tani. Ky aktivitet tregon se si mund të realizohen projekte, si mund të zgjidhen probleme nga e kaluara dhe si mund të vihen gjërat në rrugën e duhur dhe të ecin përpara”, theksoi ministri Nikolloski.

Sipas ministres Dimitrieska-Koçoska, dokumentet që po nënshkruhen sot krijojnë kushte për vazhdimin e papenguar të zbatimit të njërit prej projekteve më të rëndësishme të infrastrukturës në vend.

“Sot po nënshkruajmë ndryshime në marrëveshjet e financimit dhe një ndryshim në marrëveshjen e grantit për projektin ‘Ndërtimi i një segmenti të ri hekurudhor Kriva Pallankë – kufiri me Republikën e Bullgarisë, si pjesë e Korridorit 8’, i cili siguron një strukturë financiare që do të mundësojë zbatimin e plotë të projektit dhe i cili jo vetëm që do të sigurojë lidhje më të mirë midis Detit Adriatik dhe Detit të Zi, por do të kontribuojë edhe në integrimin më të madh ekonomik, lëvizjen më të lehtë të njerëzve dhe mallrave, si dhe mundësi të reja për zhvillimin e ekonomisë së vendit dhe gjithë rajonit”, ka thënë ministrja.

Ajo vlerësoi se për zbatimin e projekteve strategjike, vetëm vendosmëria politike nuk është e mjaftueshme, por është gjithashtu e nevojshme të ketë një kornizë financiare të qëndrueshme.

“Qeveria ka një angazhim të qartë për zbatimin e projekteve strategjike të infrastrukturës. Në dy vitet e fundit, kemi punuar intensivisht për të përshpejtuar dinamikën e projekteve që u trashëguan me ngecje, si dhe për të nisur investime të reja që kontribuojnë në kushte më të mira jetese, përmirësimin e ekonomisë dhe përparimin në procesin e integrimit evropian. Mbështetja për projektet kapitale, përveç fondeve të siguruara nga institucionet financiare ndërkombëtare, realizohet edhe përmes mbështetjes së fortë buxhetore. Me Rebalancin e buxhetit për vitin 2026, kemi siguruar 5.8 miliardë denarë shtesë për shpenzime kapitale, pra 14.3% më shumë se fondet e planifikuara fillimisht. Ato janë një investim në konkurrueshmëri më të lartë të ekonomisë së vendit, në lidhje më të mirë rajonale, në mundësi të reja për biznes dhe në një standard më të lartë jetese për qytetarët”, ka thënë Dimitrieska-Koçoska.

Mbetemi të përkushtuar, theksoi ajo, në realizimin e këtyre qëllimeve, duke marrë parasysh nevojën për të ruajtur stabilitetin e financave publike.

“Pikërisht një qasje e tillë përmes menaxhimit të përgjegjshëm të financave publike, sigurimit të fondeve për investime kapitale dhe një partneriteti të fortë me institucionet financiare ndërkombëtare krijon bazën për rritje të qëndrueshme ekonomike, konkurrencë më të madhe dhe integrim më të shpejtë të vendit në rrjedhat evropiane të transportit dhe ekonomisë”, ka thënë Dimitrieska-Koçoska.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Artikuj të ngjajshëm

Mickoski: Nuk planifikojmë rritje të çmimit të energjisë elektrike, po punojmë për ulje të çmimit ose kohëzgjatje të tarifës së lirë

-Nuk po mendojmë për rritje të çmimit të energjisë elektrike. Po përgatisim një plan për të gjetur një...

VMRO-DPMNE: Mbi 800 iniciativa për energji të rinovueshme, Maqedonia po bëhet tërheqëse për investime

VMRO-DPMNE: Mbi 800 iniciativa për energji të rinovueshme, Maqedonia po bëhet tërheqëse për investime Politikat që po zbaton VMRO-DPMNE-ja...

ESHS: Në muajin korrik çmimet hotelerike janë rritur për 1.1%

Çmimet e shërbimeve të kateringut/hotelerisë në korrik të vitit 2026 janë rritur për 1.1% në krahasim me muajin...

Rritet çmimi i naftës në Maqedoni! Bie çmimi i benzinës

Çmimi i benzinave pas mesnate do të bie për 2 denarë, përcjell TV21. Komisioni Rregullator për Energjetikë vendosi...