Rrezik për ekonomi dhe furnizim: Kamionët bllokojnë kufijtë e Ballkanit

Data:

Shpërndaje:

Të hënën në mesditë do të ketë bllokadë të plotë për hyrje dhe dalje në të gjitha pikat kufitare të vendit. Transportuesit e kamionëve nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia do t’i parkojnë kamionët në të gjitha pikat kufitare në këto vende dhe do ta bllokojnë plotësisht trafikun e mallrave drejt Bashkimit Evropian dhe transitin nëpër rajon. Nuk do të ketë pengesa për hyrje dhe dalje të autobusëve të udhëtarëve dhe automjeteve. Protesta është e përbashkët – me qëllim që të apelohet për ndryshimin e rregullave në sistemin e ri për hyrje dhe dalje në BE, për llogaritjen e ditëve të qëndrimit të shoferëve. Ata thonë se kjo do ta bllokojë dhe shtrenjtojë transportin e mallrave dhe do t’i shkatërrojë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.

“Ndalimi, përkatësisht rënia e të gjithë ekonomisë së rajonit, jo vetëm në Maqedoni, por të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, do të jetë e frikshme. Sepse do të duhet të angazhohen transportues të huaj, të cilët rrallë vijnë në këto pjesë të Ballkanit Perëndimor, por çmimet e transportit do të jenë tre deri në katër herë më të larta sesa transportohet tani”, tha Biljana Muratovska, shoqata e transportit “Makam-trans”.

Sipas Muratovskës, më e frikshmja vjen pas 10 prillit, kur do të fillojë numërimi elektronik. Asnjë shofer nuk do të ketë ditë të lira, ndërsa nuk ka të tjerë që mund t’i zëvendësojnë.

Transportuesit e Ballkanit tashmë janë në panik, sepse shtetet evropiane kanë deportuar 100 shoferë, ndërsa edhe 100 të tjerë janë në procedurë. Reagoi konsorciumi logjistik i Bosnjës dhe Hercegovinës, i cili ka evidentuar 100 raste të kthimit me detyrim ose me forcë të shoferëve profesionistë nga shtetet e BE-së, si dhe mbi 100 ditë të kaluara në paraburgim dhe burgje të shteteve anëtare të BE-së. Muratovska thotë se edhe ne nuk jemi të përjashtuar nga kthimi i shoferëve mbrapa.

“Shoferët mbyllen në paraburgim, disa 12 orë, disa 24, varësisht se ku ndodhen dhe cili është vendi për dorëzimin e mëtejshëm. Përkatësisht i deportojnë me avion, sepse më nuk kanë ditë. Këta persona nuk janë terroristë, nuk janë migrantë, ndërsa me ta veprohet sikur të jenë kriminelët më të mëdhenj”, shtoi Biljana Muratovska, shoqata e transportit “Makam-trans”.

Transportuesit ballkanikë prej kohësh kanë alarmuar për problemin. Komisioni Evropian tashmë është deklaruar lidhur me bllokadën e paralajmëruar të kufijve – thonë se nuk janë futur asnjë ndryshim në lidhje me rregullat ekzistuese për qëndrimin në zonën Shengen. Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, tha se bëhet fjalë për një problem vërtet serioz, për të cilin është diskutuar me Bashkimin Evropian, por se nga ana e tyre nuk ka pasur mirëkuptim.

“Përgjigjja formale që para disa ditësh e dha edhe zëdhënësi i Komisionit Evropian, me të cilën nuk pajtohem, është se nuk ka dallim mes asaj që deri më tani kanë qenë rregullat dhe rregullave të reja, sepse sipas tij dhe sipas rregullave të deritanishme një udhëtar mund të qëndrojë deri në 90 ditë brenda 180 ditëve në zonat Shengen dhe se e njëjta gjë mbetet edhe tani. Formalisht kjo është e saktë, praktikisht nuk është e saktë, për arsye se transportuesit nuk janë turistë”, theksoi Aleksandar Nikolloski – Ministër i Transportit.

Muratovska është kategorike – nëse mbeten këto rregulla për numërimin e ditëve të qëndrimit të shoferëve në BE, na presin rafte të zbrazëta në dyqane dhe kolaps i ekonomisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Artikuj të ngjajshëm

Nikolloski: Qytetarët nuk duhet të blejnë banesa para se të ndërtohen, çmimet aktuale janë të fryra

Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski thotë se çmimet e larta të banesave në këtë moment janë të fryra...

Do të ulen çmimet e telefonisë, operatori i tretë mobil në RMV do të fillojë punën në fillim të vitit 2027

Agjencia për Komunikime Elektronike sot ua dorëzoi zyrtarisht licencën për punë përfaqësuesve të operatorit të ri mobil në...

Jeta bëhet luks, 66 mijë denarë për mbijetesë

Për vetëm një vit, shporta minimale e llogaritur nga sindikatat është shtrenjtuar për gati 3.000 denarë. Krahasimi mes...

EShS: Paga mesatare në nëntor ishte 45.961 denarë

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, paga mesatare mujore neto e paguar për një të punësuar në nëntor 2025...