Për vetëm një vit, shporta minimale e llogaritur nga sindikatat është shtrenjtuar për gati 3.000 denarë. Krahasimi mes janarit 2024 dhe janarit 2025 tregon se vlera e saj është rritur nga 63.252 denarë në 66.413 denarë. Nëse përllogaritet edhe një apartament me qira prej 60 metrash katrorë, shporta minimale për janarin e vitit të kaluar ishte 78.627 denarë, ndërsa një vit më pas ky shpenzim është rritur në 81.788 denarë. Me fjalë të tjera, sipas llogaritjeve të sindikatës, një familje me katër anëtarë duhet të shpenzojë të paktën 66.413 denarë në muaj, pa përfshirë qiranë. Rreth një e treta e kësaj shume shkon vetëm për ushqim, shkruan gazeta KOHA.
Peshën më të madhe në strukturën e shpenzimeve mujore e zënë ushqimet dhe pijet, me 36.5 për qind të shportës totale. Pasojnë arsimi me 10.8 për qind, qiraja, uji, energjia elektrike dhe ngrohja me 9.5 për qind, si dhe veshmbathja dhe këpucët me 9.1 për qind. Transporti përbën 6.8 për qind, restorantet dhe hotelet 6.2 për qind, komunikimet 5.1 për qind, ndërsa kategoritë e tjera kanë një peshë më të vogël.
Me një llogaritje që përfshin qiranë e një apartamenti prej 60 metrash katrorë, vlera e shportës minimale sindikale për janarin e vitit 2026 arrin në 81.788 denarë, duke e rritur edhe më tej barrën mujore financiare për familjet. Ndërkohë, paga minimale në Maqedoninë e Veriut është 24.397 denarë, dhe për të mbuluar shportën minimale sindikale nevojiten më shumë se dy paga minimale e gjysmë. Në këtë kontekst, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) ka paralajmëruar protestë më 28 janar, duke kërkuar pagë minimale prej 600 eurosh, si dhe rritje lineare prej 100 eurosh për të gjitha pagat e tjera. Nga sindikata theksojnë se, për shkak të mungesës së dialogut social, një e treta e punëtorëve në vend marrin pagë nën pragun e varfërisë, i cili vlerësohet në 31.200 denarë.
LSM ka paralajmëruar se do të mbledhë 10.000 nënshkrime, minimumi i kërkuar ligjor, dhe do të paraqesë dy ligje në Kuvend.
“Nëse nuk na dëgjojnë, do të mbledhim 10 mijë nënshkrime, do të bëhemi propozues të autorizuar të ligjeve dhe do të kërkojmë ulje të pagave të nëpunësve civilë me 78 për qind, rritje të pagës minimale në 600 euro dhe rritje të pagave të të gjithë punëtorëve me diferencën përkatëse”, deklaroi Slobodan Trendafilov, kryetar i LSM-së. Nga ana tjetër, Qeveria mbetet në qëndrimin e saj se për rritjen e pagës minimale duhet të ketë marrëveshje mes sindikatave dhe punëdhënësve. Seanca e fundit e Këshillit Ekonomik dhe Social, e mbajtur në dhjetor, konfirmoi se nuk ka pajtueshmëri mes palëve për rritjen e pagës minimale në 500 apo 600 euro neto. Punëdhënësit vlerësojnë se pagat mund të rriten vetëm nëse shteti mbulon kontributet e rritura. Megjithatë, mbetet e hapur çështja e qëndrueshmërisë së një propozimi të tillë, në një kohë kur financat publike janë nën presion të madh, për shkak të subvencioneve për Fondin Pensional, rritjes lineare të pensioneve, pagesës së rregullt të tyre, si dhe shlyerjes së borxheve të akumuluara.
Sipas buxhetit për vitin 2026, janë paraparë rreth 117 miliardë denarë për pagesën e pensioneve, përfshirë sigurimin shëndetësor për pensionistët dhe kostot kalimtare për kompanitë pensionale të shtyllës së dytë. Për këtë qëllim, Qeveria planifikon të sigurojë rreth 62 miliardë denarë, apo rreth 1 miliard euro, në formë transferesh për Fondin e Sigurimit të Pensioneve dhe Invaliditetit, me synim garantimin e pagesës në kohë të pensioneve dhe stabilitetin e sistemit. (koha.mk)


