Kina përpiqet të shkëputet nga varësia ndaj prodhimit industrial

Data:

Shpërndaje:

Në skaj të qytetit Tangshan, jo larg kryeqytetit kinez, Pekinit, një park i ri industrial ngrihet me shpresën për të tërhequr kompani teknologjike nga prodhues të makinave elektrike deri te zhvilluesit e baterive moderne. Megjithatë, për momentin, kjo hapësirë që duhet të ishte gjallëruar nga aktiviteti industrial, qëndron thuajse bosh. As vizitorët, e as investimet e premtuara nuk janë shfaqur ende.

Ky nuk është një rast i izoluar. Ai është pjesë e një tabloje më të gjerë që po shfaqet në shumë qytete të vogla dhe të mesme në Kinë, të cilat, pas kolapsit të tregut të pasurive të paluajtshme në vitin 2021, po përpiqen të zhvendosin strategjinë e zhvillimit drejt industrisë. Por përpjekjet, në shumë raste, përfundojnë me projekte të nën-shfrytëzuara struktura që qëndrojnë bosh ose përdoren për qëllime të përkohshme si magazina ndërtimi. Kjo po ushqen një problem të ri: mbikapacitet industrial dhe një klimë konkurruese që po rezulton më tepër si garë për mbijetesë sesa për rritje të qëndrueshme.

Pekini është i vetëdijshëm për këtë dinamikë. Presidenti Xi Jinping ka vënë në shënjestër fenomenin e “neijuan” një formë e konkurrencës së tepruar që çon në ulje të çmimeve deri në pikën e shkatërrimit të fitimit. Në të njëjtën kohë, zyrtarët po promovojnë atë që e quajnë “forca të reja prodhuese me cilësi”, duke shtyrë zhvillimin në fusha si teknologjia e avancuar dhe energjitë e reja. Por në terren, realiteti është më kompleks: fabrika të stërmbushura, çmime të shtypura dhe projekte që rrallë prodhojnë vlerë të qëndrueshme

Në përpjekje për të frenuar praktikat që dëmtojnë tregun, autoritetet kanë nisur ndërhyrje për të rregulluar shitjet nën kosto. Por ndryshe nga krizat e mëhershme në sektorë si çeliku dhe çimentoja, tani sfida është më delikate ajo prek sektorë të ndjeshëm dhe të decentralizuar si automjetet elektrike, teknologjia diellore dhe Inteligjenca Artificiale. Këta sektorë kontrollohen kryesisht nga kompani private, të cilat janë më pak të ndjeshme ndaj udhëzimeve shtetërore.

Një tjetër faktor frenues për ekonominë kineze është konsumatori i brendshëm. Humbjet e pësuara nga familjet në tregun e pasurive të paluajtshme kanë tkurrur besimin dhe fuqinë blerëse. Pa kërkesë të qëndrueshme të brendshme, asnjë projekt industrial nuk mund të arrijë potencialin e tij të plotë. Ekspertët këmbëngulin se, përveç investimeve, Kina ka nevojë për reforma strukturore si forcimi i sistemit të mbrojtjes sociale dhe trajnime të orientuara drejt tregut të punës në mënyrë që rritja të jetë e qëndrueshme dhe afatgjatë.

Në vetë Tangshanin, edhe pse subvencionet po shkurtohen, autoritetet lokale nuk po ndalen. Vetëm gjatë vitit të kaluar, në zonën e teknologjisë së lartë u regjistruan 71 kompani të reja në fushën e robotikës. Por konkurrenca e fortë dhe fitimet e ulëta kanë bërë që shumë prej këtyre sipërmarrjeve të mos e përballojnë dot tregun.

Për momentin, duket se modeli i rritjes i bazuar te investimi po ndeshet me kufijtë e vet. Derisa të krijohet një ekuilibër mes prodhimit dhe konsumit, dhe derisa konsumatori i zakonshëm të rikthejë besimin, gara për të mbijetuar në ekonominë kineze moderne do të vijojë me intensitet të lartë. /abcnews

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Artikuj të ngjajshëm

Mickoski: Furnizimi me naftë është stabil

Furnizimi me derivate të naftës në vend është stabile, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski. Ai nuk e përjashtuar mundësinë...

Kriza në Lindjen e Mesme godet aviacionin, a do të fluturojmë më shtrenjtë këtë verë?

Ndërsa tensionet gjeopolitike dhe lufta me Iranin vazhdojnë të përshkallëzohen, tregjet ndërkombëtare po japin sinjalet e para të...

Transporti i mallrave në Shqipëri kalon në sistemin elektronik

Epoka e shoferëve të kamionëve dhe kompanive të logjistikës që udhëtojnë me dosje të mbushura me dokumente fizike,...

Reuters: Irani mban çelësin për rihapjen e tregjeve globale të energjisë, jo SHBA

Një letër e pazakontë e gjigantit saudit Saudi Aramco drejtuar blerësve të saj këtë javë ka shpërndarë valë...