Bixhozi në RMV: licenca më të shtrenjta, më pak aparate dhe 500 metra distancë prej shkollave

Data:

Shpërndaje:

Bixhozi në Maqedoninë e Veriut po përballet me transformimin më të madh në historinë e tij me Ligjin e ri për Lojërat e Fatit, i cili do të sillte ndryshime drastike që do të riformësonin të gjithë peizazhin e industrisë së lojërave të fatit. Sipas analizës të Radios Evropa e Lirë mbi zgjidhjen ligjore të përgatitur nga Ministria e Financave, e cila po finalizohet në Qeveri, thelbi i ndryshimeve definohet në nenin 24.

Me të, kazinotë dhe klubet e lojërave të fatit që kanë makina video llotarie është paraparë të vendosen të paktën 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme.

Duke pasur parasysh se nuk i rendit ato si përjashtim, dispozita do të zbatohet edhe për kazinotë e vendosura brenda hoteleve, të cilat ndodhen gjysmë kilometri larg institucioneve arsimore.

Për dallim nga kazinotë dhe klubet me aparate, ndryshimet i përjashtojnë pikat e basteve, të cilat nuk do të duhet të zhvendosen dhe do të mbeten në vendet e tyre ekzistuese.

Mirëpo, për ato do të ketë një rregullim tjetër. Pikave të basteve do t’u ndalohet të kenë makina video llotarie, ndërsa përjashtim do të jenë ato që ndodhen gjysmë kilometri larg shkollave. Në to, do të jetë e mundur të luhet në një numër maksimal prej pesë makinash VLT.

Në ligjin e ri gjeodetëve u jepet roli i arbitrave të rinj të fatit. Ata do të bëhen figura kyçe në përcaktimin se ku mund dhe nuk mund të hapet një kazino, ndryshe nga pamja aktuale në terren ku ata mund të shihen në pothuajse çdo rrugë.

Vendimi i qeverisë përshkruan matjen e distancës prej 500 metrash si “rruga më e shkurtër e sigurt” nga hyrja e shkollës deri në hyrjen e kazinosë.

“Distanca nga paragrafi (2) i këtij neni përfaqëson rrugën më të shkurtër të sigurt nga shkollat fillore ose të mesme deri në hyrjen e hapësirës në të cilën organizohen lojërat e fatit, e cila përcaktohet nga një elaborat gjeodezik për qëllime të veçanta të përgatitur nga një tregtar individual gjeodet i autorizuar ose një shoqëri tregtare për punë gjeodezike. Metoda e përcaktimit të distancës dhe forma e përmbajtja e elaboratit gjeodezik nga paragrafi (2) i këtij neni përcaktohen nga drejtori i Agjencisë së Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme”, thuhet në ligj.

Mirëpo, zgjidhja ligjore parasheh gjithashtu një ulje të konsiderueshme të numrit të makinave VLT të Video Llotarisë Shtetërore në të gjithë territorin e vendit. Numri i tyre aktualisht është 7,000.

“Kufizohet numri i përgjithshëm i terminaleve elektronike të videollotarisë që mund të instalohen në të gjitha lokalet afariste në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në jo më shumë se 3.000, shikuar individualisht çdo muaj”, thuhet në Nenin 64.

Reklamim i kufizuar dhe licenca më të shtrenjta

Ligji gjithashtu parasheh një sërë nenesh që ndalojnë reklamimin në media, si dhe në pjesën e jashtme të objekteve fizike ku organizohen lojërat e fatit.

Në televizion dhe radio reklamimi në lidhje me organizimin e lojërave të fatit dhe lojërave të fatit online nuk do të jetë i mundur çdo ditë nga ora 06:00 e mëngjesit deri në orën 22:00 të mbrëmjes.

“Gjithashtu ndalohet edhe reklamimi për organizimin e lojërave të fatit dhe lojërave argëtuese në zonat e zhvillimit teknologjik industrial, si dhe të gjitha format e reklamimit në pjesën e jashtme të vitrinës së lokaleve afariste të një organizatori të lojërave të fatit të posaçme ose elektronike më të mëdha se 30 centimetra në lartësi dhe 100 centimetra në gjatësi, përveç lojërave të fatit të posaçme të organizuara në kazino në vijat kufitare në një distancë prej tre kilometrash nga një vendkalim kufitar”, thuhet në ligj.

Kazinotë dhe klubet e makinave të lojërave të fatit është e paraparë gjithashtu të përballen me shpenzime të rritura. Në vend të 20 përqindëshit aktual, ato do të duhet t’i paguajnë 23 përqind të diferencës midis shumës së arkëtuar nga të gjitha makinat e lojërave të fatit dhe shumës së paguar nga të gjitha makinat e lojërave të fatit organizatorit të lojërave të kazinosë, në bazë mujore.

Nga mjetet e paguara për tarifën speciale të lojërave të fatit, 3% do të shkojnë për Agjencinë e Filmit, dhe 4% për promovimin e turizmit do të shkojnë në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit.

Qeveria gjithashtu planifikon të ndryshojë qasjen ndaj dhënies së licencave. Kazinotë deri më tani kanë paguar nga 600,000 euro për një licencë me të cilën kanë hapur ambiente të panumërta biznesi, ndërsa zgjidhja e re ligjore parasheh që ajo të arrijë në 750,000 euro për një periudhë prej gjashtë vitesh dhe do të jepet vetëm për një objekt.

Kur bëhet fjalë për pikat e basteve, licenca do të kushtojë 210,000 euro, ndërsa për një klub makinash me lojëra fati 100,000 euro, me çka për hapjen e çdo ambienti plotësues afarist, do të paguhet një tarifë një herëshe prej 30,000 eurosh.

Qeveria: Ka kohë të mjaftueshme për t’u përshtatur me ndryshimet

Ligji i ri për lojërat e fatit është ende në procedurë qeveritare. Nga Qeveria thonë se pasi të përfundojnë të gjitha procedurat juridike, ligji do t’i dërgohet Parlamentit, i cili do ta informojë publikun në detaje rreth zgjidhjes dhe dispozitave të reja ligjore.

Siç thuhet edhe në ligj, nga Qeveria thonë se do të lihet kohë e mjaftueshme deri në zbatimin e kësaj zgjidhjeje deri në fillim të janarit 2027 që organizatorët e lojërave të fatit të riorganizohen.

“Qëllimi i Ligjit të ri për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Argëtuese është rregullimi më i qartë i kushteve dhe marrëdhënieve në fushën e lojërave të fatit dhe lojërave argëtuese, si dhe mbrojtje më e madhe e qytetarëve. Me këtë zgjidhje ligjore parashihet një distancë midis lokaleve afariste për organizimin e lojërave të fatit dhe shkollave fillore dhe të mesme. Forcohen edhe mekanizmat për kontrollin e organizimit dhe përhapjes së lojërave të fatit. Rriten të gjitha shpenzimet dhe tarifat për lojërat e fatit, dhe futen procedura shtesë në drejtim të menaxhimit të mirë korporativ”, u përgjigjën nga Qeveria.

Ndaj ndryshimeve në industri reagoi Shoqata e Organizatorëve të Basteve Sportive të Maqedonisë (SHOBSM), duke kërkuar që Qeveria të tërhiqet nga zgjidhja ligjore.

Ata paralajmërojnë se miratimi i ligjit përmes një procedure të shkurtuar, pa përfshirjen e të interesuarve dhe pa një debat publik, është një përsëritje e të njëjtës qasje që kishte qeveria e mëparshme për këtë çështje.

“Ky projektligj parashikon një distancë prej 500 metrash midis objekteve të lojërave të fatit dhe shkollave, njësoj si ligji i mëparshëm. Në praktikë, kjo do të thotë mbyllja e objekteve dhe asgjë tjetër. Fakt është se askund në botë nuk ekziston një ligj i tillë, e as nuk ka prova se do të nënkuptojë ndonjë mbrojtje për të miturit. Industria është plotësisht e rregulluar dhe atyre nuk u lejohet të luajnë dhe nuk luajnë nëpër objekte. Parashihen taksa që janë plotësisht të paarsyeshme dhe në kundërshtim me logjikën e tregut dhe nuk ekzistojnë në asnjë treg të rregulluar në Evropë apo në botë. Nëse qeveria shpreson se në këtë mënyrë do të arrijë të mbushë buxhetin – është shumë gabim. Ligji do të shkaktojë mbylljen e objekteve, dhe të ardhurat e shtetit do të ulen në mënyrë dramatike ose do të humbasin plotësisht”, thonë nga SHOLF.

Shoqata beson se zhvendosja e detyruar e objekteve të tyre, ndalimi i organizimit të lojërave të fatit online për organizatorët e licencuar, rritja e pabazuar e të dhënave dhe tarifave, si dhe dispozitat që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë juridike të licencave të lëshuara tashmë do të nënkuptojnë praktikisht mbylljen e industrisë legale.

Përpjekje për të rregulluar industrinë e lojërave të fatit ka pasur në disa raste, përfshirë edhe gjatë qeverisjes së mëparshme LSDMBDI.

Në mars të vitit 2024, Parlamenti nuk arriti të miratojë Ligjin për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Argëtuese, i cili do të parashihte që objektet e lojërave të fatit të zhvendoseshin më shumë se 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme.

Kjo ishte përpjekja e dytë për të miratuar një zgjidhje ligjore pasi ligji u miratua nga deputetët më 7 shkurt, por Presidenti i atëhershëm i vendit, Stevo Pendarovskinuk e nënshkroi Dekretin, dhe ligji u kthye në procedurën parlamentare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Artikuj të ngjajshëm

Ofertë Festive në Çair: Kids World Playground sjell dhuratën e dhjetorit – hyrja për fëmijën e tretë FALAS!

Kids World Playground në Çair ka nisur muajin e dhjetorit me një super ofertë për të gjitha familjet!...

Çmimet e banesave nuk mund të ulen, thotë Ushlinovska

Frosina Ushlinovska, përfaqësuese e Grupacionit të Patundshmërive pranë Odës Ekonomike, në emisionin “Biznis 21” në TV21 tha se,...

Institucionet shtetërore të RMV-së do të kryejnë transaksione përmes SEPA-s nga dhjetori

Shkup, 26 nëntor – Nga 9 dhjetori, shteti dhe institucionet do të mund të bëjnë dhe të pranojnë pagesa...

Dimitrieska- Koçoska: Investimet kapitale shënojnë rritje prej 47,4 për qind

Shkup, 26 nëntor –  Me metodologjinë e re për evidentimin e investimeve kapitale deri më datë 13 nëntor, ato...