Pasi që Komuna e Tearcës ishte përmendur sërish nga ministri i pushtetit lokal, Zllatko Perinski se nuk ka aplikuar ende në thirrjen e dytë të qeverisë për projekte infrastrukturore, kryetari i Komunës së Tearcës, Nuhi Neziri tha se Komuna e Tearcës gjatë ditës së enjte ka dorëzuar projektet në ministritë përkatëse. Bëhet fjalë për stacionin e filtrimit të ujrave të zeza për fshatrat Sllatinë-Tearcë dhe Përshefcë, ndërsa në projektet infrastruktrore janë përfshirë, rruga kryesore e fshatit Sllatinë, rruga Përshefcë –Gllogjë, një rrugë në Dobrosht, një rrugë në fshatin Odër.
“Projekti që është në thirrjen e rradhës, është për rrugën kryesore të fshatit Sllatinë nga varrezat e deri në qendër të fshatit, e cila është e amortizuar sepse është realizuar një projekt për vendosjen e rrjetit elektrik nëntokë, është bërë prerja e asfaltit dhe rruga është amortizuar në shkallë të konsiderueshme dhe për këtë ne kemi vënë në prioritet të gjithë punët që lidhen me këtë segment brenda fshatit Sllatinë.Thirrja përfundon në muajin prill dhe besojmë në një bashkërendim me Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve”, deklaroi kryetari i Komunës së Tearcës, Nuhi Neziri.
Sipas ministrit të pushtetit lokal, Zllatko Periski, 63 komuna kanë aplikuar në thirrjen e dytë qeveritare për financimin e projekteve infrastrukturore në vlerë të përgjithshme prej 15 miliardë denarësh apo mbi 240 milionë euro. Perinski deklaroi se afati për aplikime mbaron më 30 prill, ndërsa apeloi që të dorëzojnë projektet e tyre edhe 17 komunat që fare nuk kanë aplikuar.
“Në Arkivin e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale janë dorëzuar gjithsej 450 formularë aplikativë nga 63 komuna. Prej tyre, 36 komuna kanë aplikuar me projekte në vlerë maksimale prej mjeteve financiare të cilat u takojnë sipas formulës për kokë banori. 27 komuna kanë mundësi të aplikojnë edhe me projekte tjera deri në shumën maksimale të parashikuar, ndërsa 17 komuna fare nuk kanë dorëzuar formularë aplikimi. Komunat që fare nuk kanë aplikuar, deri në datën e djeshme janë 17 në numër. Ato janë Komuna e Sarajit, Komuna Qendër, Komuna e Çairit, Komuna e Shuto Orizares, Komuna e Likovës, Komuna e Probishtipit, Komuna e Vallandovës, Komuna e Rosomanit, Komuna e Bogvinës, Komuna e Vrapçishtit, Komuna e Mavrovës dhe Rostushës, Komuna e Tearcës, Komuna e Dibrës, Komuna e Strugës, Komuna e Manastirit, Krushevës dhe Dollnenit”, deklaroi ministri Perinski.
Në ndërkohë, nga Komuna e Tearcës njoftuan se është përfunduar faza e parë e asfaltimit të rrugës në fshatin Nerasht, ndërsa faza e dytë do të jetë vazhdimi i saj deri në fshatrat e rajonit të Komunës së Sarajit. Gjatë kësaj periudhe pritet që të asfaltohet edhe një rrugë ndërmjet fshatrave Leshkë dhe Neproshten. (koha.mk)


