Senati italian ka miratuar marrëveshjen e njohjes së pensioneve me Shqipërinë. Një përpjekje disavjeçare është kurorëzuar me sukses të plotë, me njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore të të dyja shteteve. Finalizimi i kësaj marrëveshjeje ofron për shumë persona një siguri dhe një perspektivë pozitive për të ardhmen.
Një prej aktivisteve të komunitetit shqiptar në Itali, Greta Ballo, ka bërë me dije se për përmbylljen e këtij procesi fshihet nga pas një punë mbi 10-vjeçare. Ajo theksoi se ndonëse pretendohet se mundtë jenë 500 mijë shqiptarë që përfitojnë nga firmosja e marrëveshjes, shumë prej tyre nuk përmbushin kushtet e derdhjes së kontributeve në të dyja vendet.
Ajo theksoi se fasha kryesore e cila përfiton nga marrëveshja është ajo që konsiderohet si gjeneratat e parë e emigrantëve shqiptarë.
“Kjo marrëveshje u jep të drejtën qytetarëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali që të bashkojnë vitet e kontributeve të derdhura në dy vendet. Shifra prej 500 mijë shqiptarë përmbledh gjithë shqiptarët që jetojnë në Itali por jo të gjithë kanë një situatë që kanë punuar në të dyja vendet, kështu që përjashtojmë ata që kanë punuar në Shqipëri në këtë rast.
Çdo vit do ketë mijëra shqiptarë që do përmbushin moshën e pensionit dhe do mund të përfitojnë. Është fasha e emigrantëve të gjeneratës së parë. Këta janë fasha kryesore që do të përfitojnë.
Kjo ka nisur në momentin kur vumë re që po arrinte mosha e pensionit për këta persona dhe në mungesë të kësaj marrëveshje nuk mund të dilnin në pension”, deklaroi ajo.


