Dibra dhe fshatrat e saj, për shkak të migrimit masiv të popullatës nga dita në ditë po zbrazen. Por një jetë më të gjallë ditore i japin shtetasit shqiptar, sidomos ata që jetojnë në vendbanimet kufitare e të cilët pothuajse çdo ditë nëpërmjet dy vendkalimeve kufitare – “Bllatë” dhe “Xhepishtë-Trebisht” vizitojnë Dibrën dhe rrethinën e saj. Pjesa më e madhe e shtetasve të Republikës të Shqipërisë, në Dibër furnizohen me prodhime të ndryshme ushqimore, por edhe teknikë të bardhë, ndërsa një pjesë tjetër vizitojnë qytetin e Dibrës edhe për t’u furnizuar me derivate të naftës.
Në tre pikat e karburanteve në Dibër dominojnë automjetet me targa shqiptare, ku pronarët e tyre furnizohen me naftë, benzinë, por edhe me gaz. Shtetasit shqiptarë thonë se çmimet e karburanteve në Dibër janë shumë më të lira në krahasim me ata që shiten në pikat e karburanteve në Shqipërisë. Ky është shkaku kryesor që pothuajse çdo shtetas shqiptar që viziton Dibrën, blen derivate të naftës në pikat e karburanteve, thonë pronarët e pikave të karburanteve, të cilët shtojnë se pa prezencën e shtetasve shqiptarë, nuk mund të shitet sasia e karburanteve të planifikuara. Ata shtojnë se 65 për qind e karburanteve blihet nga shtetasit shqiptarë.
Duke vizituan dy nga tre pikat e karburanteve në Dibër, biseduam me pronarët e pikave dhe u informuam se pjesa dominante e blerësve të karburanteve janë shtetasit shqiptar, kryesisht nga Maqellara, Bulqiza, Peshkopia, Klloboçishta, Vojnika, Trebishti, Ostreni…
Sipas pronarëve, çmimi më i ulët i karburanteve në pikat e karburanteve në Dibër është shkaku kryesor që shtetasit shqiptar nga vendbanimet kufitare furnizohen këndej kufirit. Takojmë një banor nga Maqellara në një nga pikat e karburanteve që është në dalje të Dibrës në rrugën drejt Strugës. Është Bektesh R. i cili na informoi se një herë në javë, gjatë vizitës në Dibër siguron karburant në Dibër.
“Këtu në Dibër, një litër karburant është më lirë për 20 denarë. Jo vetëm unë, por të gjithë banorët e vendbanimeve kufitare vijnë dhe furnizohen me derivate në pikat e karburanteve në Dibër të Madhe. Më se një vit, gjithmonë sigurohem me karburante në pikat e karburanteve në qytetin tuaj”, thotë bashkëbiseduesi i jonë. Ai për gazetën KOHA potencon se në Dibër ka edhe gjakun e tij nga prindërit dhe është normale që edhe vizitat të jenë të shpeshta. Takojmë edhe Sami F. nga Bulqiza. Edhe ai na tregon se është i rregullt në pikat e karburanteve në Dibër. “Në çdo 4 litra siguroj edhe një litër plus me që çmimin këtu që është më i ulët se tek ne. Të them të vërtetën, shumë bashkëqytetarë nga Bulqiza furnizohen me derivate këtu në Dibër. Nuk besoj që ndokush nga Shqipëria të vjen në Dibër e të mos e shfrytëzojë mundësinë për të ble karburante për automjetin e tij”, thotë bashkëbiseduesi i jonë.
Gjatë vizitës tonë takuam edhe vëllezërit Halili nga fshati Trebisht. “Kemi ardhur nga vendkalimi kufitar Xhepishtë-Trebisht enkas për t’u furnizuar me derivate të naftës në Dibër. Kjo ndodh shumë shpesh, me që Dibrën e kemi shumë afër dhe çmimet e karburanteve janë shumë më të ulëta në krahasim se tek ne. Blejmë karburante, por blejmë edhe produkte të tjera që na nevojiten”. Tani për tani të pakta janë rastet, sipas bashkëbiseduesve tanë që kanë probleme në vendkalimet kufitare “Blatë” dhe “Xhepisht-Trebisht”, kur është në pyetje blerja e karburanteve. Normalisht probleme hasin ata që përveç mbushjes së automjeteve, blejnë karburante në bidonë, gjë që është e palejueshme, na thonë shtetasit shqiptarë që i takuam në Dibër. (koha.mk)


