Komisioni Rregullator për Energjetikë (RKE) pritet që sot, më 13 tetor, të shpallë vendimin e ri për çmimet maksimale të shitjes me pakicë të karburanteve në Maqedoninë e Veriut.
Vendimi vjen pas lirimit të javës së kaluar, kur çmimi i naftës u ul për tre denarë për litër, ndërsa benzina për një denar e gjysmë.
Sipas çmimores së fundit, e cila hyri në fuqi më 6 tetor, benzina Eurosuper 95 shitet me çmim maksimal prej 98,50 denarësh për litër, Eurosuper 98 kushton 100,50 denarë, ndërsa nafta 97 denarë për litër. Vaji ekstra i lehtë për amvisëri kushton deri në 108,50 denarë për litër.
Ulja e çmimeve javën e kaluar erdhi si rezultat i rënies së çmimeve referente të derivateve të naftës në tregjet botërore. Në llogaritjen e atëhershme u përfshi edhe TVSH-ja e ulur për naftën në 10 për qind, si dhe ulja e akcizës për katër denarë për litër për benzinën dhe naftën.
Megjithatë, deri më tani nuk ka informacion të konfirmuar nëse karburantet do të lirohen sërish apo do të shtrenjtohen. Vendimi i ri i RKE-së do të përcaktojë çmimet maksimale dhe kohën kur ato do të hyjnë në fuqi.
Në përllogaritjen e çmimeve merren parasysh çmimet mesatare të derivateve në bursat ndërkombëtare, kursi i këmbimit dhe detyrimet e përcaktuara me metodologjinë përkatëse.
RKE përcakton çmimet maksimale, ndërsa kompanitë tregtare kanë të drejtë t’i shesin karburantet edhe me çmime më të ulëta.


