Sot, në ambientet e kompanisë Ecolog në Dubai, z. Lazim Destani, themelues dhe pronar i kompanisë, pati nderin të mirëpriste në një vizitë miqësore tre Ambasadorët shqiptarë të akredituar në Emiratet e Bashkuara Arabe: Ambasadorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Abdylkadër Memedi, Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, z. Ridi Kurtezi dhe Ambasadorin e Republikës së Kosovës, z. Xhabir Hamiti.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të përzemërt dhe vëllazërore, ku përveç bisedave miqësore, u diskutuan edhe tema me rëndësi ekonomike, me fokus të veçantë në potencialin për investime nga EBA në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Z. Destani falënderoi Ambasadorët për vizitën dhe kontributin e tyre në forcimin e lidhjeve ndërmjet vendeve tona dhe Emirateve, duke u uruar suksese të vazhdueshme në misionin e tyre diplomatik. (INA)


