Çmimi Nobel për Paqen 2025 i jepet Maria Corina Machado. Komiteti Norvegjez: Mbajti flakën e demokracisë të ndezur mes një errësire në rritje

Data:

Shpërndaje:

Komiteti Norvegjez i Nobelit ka vendosur t’i japë Çmimin Nobel për Paqen për vitin 2025 politikanes venezueliane Maria Corina Machado, “për punën e saj të palodhur në promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës dhe për luftën e saj për të arritur një tranzicion të drejtë dhe paqësor nga diktatura në demokraci”.

Gjatë vitit të kaluar, Machado është detyruar të jetojë e fshehur, ndërsa përballet me kërcënime serioze ndaj jetës së saj. Megjithatë, ajo ka zgjedhur të qëndrojë në vendin e saj, duke frymëzuar miliona venezuelianë dhe duke bashkuar opozitën e dikurshme të përçarë.

Në njoftimin e Komitetit të Nobelit, thuhet se Machado është “një kampione e guximshme dhe e përkushtuar e paqes, një grua që e mban flakën e demokracisë ndezur mes një errësire në rritje”.

Sipas komitetit, ajo përfaqëson një nga shembujt më të jashtëzakonshëm të guximit civil në Amerikën Latine në kohët e fundit.

Maria Corina Machado ka qenë një figurë kyçe dhe unifikuese në opozitën venezueliane, duke ndihmuar forcat pro-demokraci të gjejnë terren të përbashkët në kërkesën për zgjedhje të lira dhe qeveri përfaqësuese.

E diplomuar në inxhinieri dhe financë, Machado themeloi në vitin 1992 Fondacionin “Atenea”, që ndihmon fëmijët e rrugës në Karakas. Dhjetë vjet më vonë ajo bashkëthemeloi Súmate, një organizatë që promovon zgjedhje të lira dhe monitoron proceset elektorale.

Në vitin 2010 u zgjodh në Asamblenë Kombëtare me një numër rekord votash, por regjimi e përjashtoi nga detyra në vitin 2014. Machado drejton sot partinë opozitare Vente Venezuela dhe në vitin 2017 bashkëthemeloi aleancën Soy Venezuela, që bashkon grupet pro-demokraci përtej ndarjeve politike.

Në vitin 2023, ajo shpalli kandidaturën për presidente në zgjedhjet e vitit 2024. Pasi iu ndalua pjesëmarrja, mbështeti kandidatin e opozitës Edmundo González Urrutia, duke mobilizuar mbështetje të gjerë popullore.

Komiteti i Nobelit thekson se Machado nderohet jo vetëm për përpjekjet për demokracinë në Venezuelë, por edhe sepse “demokracia është në tërheqje në shkallë globale”.

“E drejta për të shprehur mendimin, për të votuar dhe për t’u përfaqësuar është themeli i paqes, si brenda vendeve ashtu edhe midis tyre”, përfundon deklarata.

/rtsh.al/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Artikuj të ngjajshëm

Nikolloski: Qytetarët nuk duhet të blejnë banesa para se të ndërtohen, çmimet aktuale janë të fryra

Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski thotë se çmimet e larta të banesave në këtë moment janë të fryra...

Rrezik për ekonomi dhe furnizim: Kamionët bllokojnë kufijtë e Ballkanit

Të hënën në mesditë do të ketë bllokadë të plotë për hyrje dhe dalje në të gjitha pikat...

Do të ulen çmimet e telefonisë, operatori i tretë mobil në RMV do të fillojë punën në fillim të vitit 2027

Agjencia për Komunikime Elektronike sot ua dorëzoi zyrtarisht licencën për punë përfaqësuesve të operatorit të ri mobil në...

Jeta bëhet luks, 66 mijë denarë për mbijetesë

Për vetëm një vit, shporta minimale e llogaritur nga sindikatat është shtrenjtuar për gati 3.000 denarë. Krahasimi mes...