Sipas të dhënave që publikoi Enti Shtetëror i Statistikave, paga mesatare mujore neto e paguar për punonjësit në prill të këtij viti ka qenë 48.779 denarë. Në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kjo shumë është më e lartë për 7.3 përqind.
Siç bëhet e ditur, rritja është ndikuar kryesisht nga shtimi i pagës mesatare mujore neto të paguar në sektorët e Aktiviteteve financiare dhe sigurimit me 27 përqind, Furnizimit me ujë; largimit të ujërave të ndotura, menaxhimit të mbeturinave dhe aktiviteteve për përmirësimin e mjedisit me 9.4 përqind, si dhe Tregtisë me shumicë dhe pakicë; riparimit të automjeteve dhe motoçikletave me 9.2 përqind.
Në raport me muajin e kaluar, rritje e pagës mesatare mujore neto të paguar për punonjësit është evidentuar edhe në sektorët e Aktiviteteve financiare dhe sigurimeve me 20.1 përqind, Tregtisë me shumicë dhe pakicë; riparimit të automjeteve dhe motoçikletave me 2.1 përqind, si dhe Aktiviteteve administrative dhe mbështetëse të shërbimeve me 2 përqind.


