Pasuri të padeklaruara, gjykatës të pandëshkuar në Maqedoninë e Veriut

Data:

Shpërndaje:

Gjykatësi që do refuzojë ta deklarojë pasurinë ose nuk do të raportojë një ndryshim të konsiderueshëm të gjendjes së tij pasurore mund të shkarkohet. Por, vetëm nëse sistemi e zbulon atë në kohë. Në Maqedoni ka gjykatës që janë kapur duke marrë ryshfet dhe për këtë janë dënuar dhe shkarkuar, por nuk ka as edhe një gjykatës që e ka humbur vendin e tij të punës sepse ka refuzuar ta deklarojë pasurinë, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.

 

 

Në të shumtën e rasteve sanksioni për mosdeklarimin e pasurisë është një gjobë prej 150 eurosh. Ka gjykatës të cilët nuk mbajnë përgjegjësi as për kundërvajtje, sepse ndodh vjetërsimi i kundërvajtjes.

BIRN analizoi se sa gjykatës në Maqedoni e deklarojnë pasurinë e tyre. Gjetjet tregojnë se institucionet vonojnë me kontrollet, ndërsa kundërvajtjet vjetërsohen.

E pa deklaruar dhe e vjetërsuar

Po të mos kishte qenë për hetimin të cilin e ngriti prokurorja Iskra Haxhi Vasileva, publiku nuk do të kishte mësuar se në murin e shtëpisë familjare të prindërve të gjykatësit të apelit Gjoko Ristov u gjetën 350 mijë euro.

Në brifingun me gazetarët prokurorja tha se në varakët me të cilat ishin mbështjellë paratë ka pasur shenja të gishtërinjve të gjykatësit, ndërsa në vetë dhomën ka pasur edhe fletë në të cilat kanë qenë të shkruara numra të lëndëve gjyqësore.

Përveç këtyre parave të murosura, për fitimin dhe fshehjen e të cilave e akuzon prokuroria, Ristov nuk ka deklaruar edhe një apartament në lagjen Karposh të Shkupit me sipërfaqe prej 143 metra katrorë, edhe pse është i detyruar ta deklarojë atë pranë Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Në deklaratën e fundit mbi gjendjen e pasurisë nga muaji janar i vitit 2021, të cilën BIRN e siguroi nga KSHPK, shkruan se gjykatësi posedon një apartament në Shkup me sipërfaqe prej 70 metra katrorë, një automjet “Passat” 13-vjeçar dhe paguan dy kredi, të tijën dhe të bashkëshortes së tij.

Pesë muaj më vonë, në maj të vitit 2021, Ristov ka marrë një apartament si dhuratë, por nuk e ka deklaruar atë. Ai apartament nuk është regjistruar as si pronë e bashkëshortes së tij, prokurores shtetërore Simona Zoriq-Ristova.

Apartamenti nuk është pjesë e aktakuzës kundër Ristovit. “Hetimi financiar tregoi se ai apartament ishte dhuratë nga babai i tij”, konfirmoi prokurorja Haxhi Vasileva.

Për këtë pronë të padeklaruar KSHPK mund t’i shqiptojë gjykatësit Ristov masë kundërvajtëse. Gjoba është 300 euro, ndërsa nëse e paguan atë brenda 8 ditëve, ajo përgjysmohet në 150.

“Për gjykatësin në fjalë, në periudhën kur u hap lënda, vendosëm të mos ngrejmë procedurë, sepse prokuroria hapi lëndë. Nuk kemi procedurë aktive në lidhje me apartamentin në fjalë, ndërsa kemi mundësi të kontrollojmë”, tha kryetari i KSHPK-së, Adem Çuçulj.

Por, antikorrupsionerët nuk mund të ngrenë as procedurë kundërvajtëse kundër tij, sepse afati për përcaktimin e kundërvajtjes është shumë i shkurtër, dy vjet dhe lënda është vjetërsuar.

Çuçulj thotë se disa gjykatësve që i kanë kontrolluar me përzgjedhje të rastësishme ose sipas planit vjetër, u janë vjetërsuar kundërvajtjet.

“Kapacitetet tona janë të limituara. Duhet ta zbulojmë menjëherë diçka që ai e ka blerë, por që nuk e ka deklaruar.”

Ata kanë kërkuar nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshillit i Prokurorëve që t’i detyrojnë gjykatësit dhe prokurorët që pasurinë që e kanë deklaruar në letër ta deklarojnë në formë elektronike.

“Sistemi i ri elektronik është shumë më i detajuar dhe nuk lë mundësi për gabime. Vetë sistemi merr të dhëna nga Kadastra. Të gjitha llogaritë transaksionale duhet të deklarohen. Në formularët e vjetër nuk i deklaronin të gjitha “, thotë ai.

Mandat i përhershëm dhe pasuri “e ndryshueshme”

Gjykatësit, prokurorët dhe anëtarët e Këshillave Gjyqësorë dhe të Prokurorëve janë ndër ata zyrtarë për të cilët refuzimi i deklarimit të pasurisë ose mosdeklarimi i pasurisë në masë të konsiderueshme është bazë për një shkelje të rëndë disiplinore dhe shkarkim.

Kjo është kështu sepse këta janë zyrtarë me mandat të përjetshëm dhe janë më të ekspozuar ndaj ndikimeve nga qendra të ndryshme të pushtetit.

Gjykatësit duhet të dorëzojnë një përshkrim të detajuar të pasurive të patundshme, gjësendeve me vlerë që i tejkalon njëzet paga mesatare neto, aksioneve, borxheve ose pronës në pronësi të tyre ose të anëtarëve të familjes së tyre.

Në Programin Zgjedhor VMRODPMNE premtoi “një kontroll të plotë të pasurive të gjykatësve dhe familjeve të tyre, me qëllim veçimin e qartë të gjykatësve të ndershëm nga ata të pandershmit”. Deri më tani, të paktën publikisht, nuk ka pasur kurrfarë iniciativash për këtë çështje.

Nëse një gjykatës refuzon ta deklarojë pasurinë e tij ose e deklaron atë, por ka fituar pasuri në një sasi të konsiderueshme dhe nuk e ka deklaruar atë, ai mund të shkarkohet nga detyra. Kjo dispozitë për herë të parë u përcaktua në Ligjin për Gjykatat në vitin 2019.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Artikuj të ngjajshëm

Maqedonia me transformim të qartë energjetik dhe rezultate konkrete – mesazh i fortë nga JESCO në Berlin

Në një takim të Komitetit të Përbashkët Ekonomik Gjermano-Maqedonas (JESCO), i mbajtur në Ministrinë federale për ekonomi dhe...

Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Tetovës pjesë e projektit ndërkombëtar CEEPUS

Në periudhën 20–26 prill 2026, në kuadër të projektit CEEPUS PL-1910-02-2526 “Supply Chains Management: From the Perspective of...

Qeveria injekton fonde të reja në ekonomi, 2.9 milionë euro për sektorin privat

Ministria e Financave njofton se transheja e re prej 176.6 milionë denarëve ose afërsisht 2.9 milionë euro është...

Shtrenjtohet taksi në Kumanovë – starti do të kushtojë 100 denar

Do të shtrenjtohet taksi-transporti në Kumanovë. Kështu ka vendosur Këshilli i Komunës së Kumanovës, i cili e miratoi...