Nëse përgjegjësia financiare do të matet sipas shumës së shpenzuar për bileta në bastore dhe para të humbura në kazino, atëherë Maqedonia me siguri do të renditej ndër vendet më të varura nga lojërat e fatit. Shpresa për fitim të shpejtë dhe të lehtë mbetet aq e madhe, sa qytetarët nuk heqin dorë nga lojërat e fatit edhe kur inflacioni u gërryen një pjesë të madhe të buxhetit personal dhe familjar. Ky paradoks financiar, i pranishëm prej vitesh në shoqërinë tonë, gjatë vitit 2024 mori edhe më shumë hov.
Megjithatë, të dhënat e analizuara nga “Pari” për investimet e qytetarëve në vitin 2024 tregojnë një risi: krahas rritjes së shpenzimeve për lojëra fati, është shtuar edhe prirja për investime më të arsyeshme dhe të qëndrueshme. Depozitat bankare kanë shënuar rritje të ndjeshme, gjithnjë e më shumë qytetarë po i drejtohen fondeve investuese, ndërsa interesimi për letra me vlerë në Bursën e Maqedonisë ka qenë në rritje. Edhe sigurimet pensionale dhe ato të jetës, të cilat tradicionalisht janë parë me skepticizëm, kanë shënuar rritje modeste, por inkurajuese.
Bastoret dhe kazinotë – rekord prej 836 milionë euro
Gjatë vitit 2024, qytetarët lanë në bastore dhe kazino rreth 51,4 miliardë denarë (836,3 milionë euro) – gati 3 miliardë denarë më shumë se në vitin 2023.
Kursimet
Në anën tjetër, në fund të vitit 2024 depozitat e qytetarëve në banka dhe kursimore arritën në 396,9 miliardë denarë (6,5 miliardë euro), duke u rritur për 48,2 miliardë denarë (783 milionë euro) krahasuar me një vit më parë. Ky është një progres më i madh se në vitin 2023, kur kursimet ishin rritur për 417 milionë euro. Norma mesatare e interesit për kursime në vitin 2024 ishte 2,5%.
Në Bursën e Maqedonisë, qytetarët investuan rreth 54,5 milionë euro, ndërsa treguesi kryesor MBI-10 shënoi një rritje vjetore prej 66,78%.
Ndërkohë, investimet në fonde investuese arritën në 7,1 miliardë denarë (115,6 milionë euro) – gati katërfish më shumë se në vitin 2023. Në 9 muajt e parë të vitit, këto fonde shënuan kthime deri në 41,18%, ndërsa 21 nga 23 fondet mbyllën vitin me rezultate pozitive.
Pensionet dhe sigurimi i jetës
Në fund të vitit 2024, rreth 33.000 qytetarë ishin pjesë e fondeve private pensionale, me një rritje prej mbi 2.000 anëtarësh. Shuma e paguar në fondet pensionale arriti në 533,9 milionë denarë, një rritje prej 23,6% krahasuar me vitin 2023. Rendimentet lëviznin deri në 5,74%.
Në sigurimin e jetës, është regjistruar një prim bruto prej 47,1 milionë euro, duke shënuar rritje prej 6,5 milionë euro nga viti paraprak.
Viti 2024 e gjeti Maqedoninë ende të lidhur fort me lojërat e fatit, por njëkohësisht dëshmoi edhe për rritje të interesit në investime të qëndrueshme dhe në mjete që ofrojnë siguri afatgjatë. Rruga drejt një kulture të plotë të edukimit financiar është ende e gjatë, por të paktën qytetarët nuk po e presin më fatin vetëm në bastore dhe kazino.


