Linja hekurudhore Tiranë–Durrës–Rinas, e cila do të operojë me tren elektrik dhe shpejtësi deri në 120 km/h, pritet të nisë funksionimin në fillim të vitit 2027.
Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho, punimet për infrastrukturën janë drejt përfundimit, me rreth 87% të punimeve të kryera.
Ai ka bërë me dije për ATSH se aktualisht po punohet për sistemet e sinjalizimit dhe telekomunikacionit.
Ndërkohë janë në zhvillim edhe punimet për ndërtimin e tetë stacioneve të reja hekurudhore përgjatë linjës, të cilat pritet të përfundojnë brenda majit 2026.
Verdho ka thënë po ashtu se është hapur gara ndërkombëtare për elektrifikimin e linjës, me synimin për të lidhur kontratën në fillim të vitit 2026.


