Këshilli Bashkiak i Tiranës shpalli një ditë më parë 1100 fitues të kredive të buta për shtëpi. Përfituesve iu subvencionohen interesat e kredive nga buxheti i shtetit për blerjen e një apartamenti në Tiranë. Ata kanë një vit e gjysmë afat të gjejnë shtëpinë, në të kundërt iu digjet si mundësi.
“Afati maksimal për kryerjen e procedurave të përfitimit të kredisë është 18 (tetëmbëdhjetë) muaj nga data e protokollimit të listës emërore pranë institucionit, që monitoron subvencionimin e interesave të kredisë”, përcaktohet në projektvendim.
Pas miratimit të listës nga këshilli bashkiak, fituesit duhet të paraqiten në bankën e nivelit të dytë me të cilën Bashkia e Tiranës ka lidhur marrëveshje me qëllim përfitimin e kredisë së butë, që financon blerjen e shtëpisë.
SUBVENCIONIMI I INTERESAVE
Programi për subvencionimin e interesave të kredive që zbatohet prej disa vitesh, synon të ulë barrën financiare për individët dhe familjet me të ardhura të ulëta, duke subvencionuar një pjesë të normës së interesit të kredisë për blerje shtëpie nga fondet e buxhetit të shtetit. Ndërsa nga përfituesit, kredia do të paguhet deri në fund të afatit të shlyerjes me interes 3%.
“1,001 (njëmijë e një) dosje aplikimesh individ/familje kanë rezultuar me dokumentacion të rregullt, konform parashikimeve të Anekseve nr. 1 dhe 3 bashkëlidhur dhe pjesë përbërëse e vendimit nr. 103 datë 08.10.2024, të Këshillit Bashkiak, “Për miratimin e sistemit të pikëzimit, nivelit minimal dhe maksimal të të ardhurave dhe dokumentacionit që duhet të plotësojnë individët/familjet për t’u trajtuar me programin e subvencionimit të familjeve që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti”, përcaktohet në projektvendimin e “Për miratimin e familjeve që përfitojnë nga programi social “Subvencionimi i interesave të kredisë” i financuar me fondet e buxhetit të shtetit, në bashkinë e Tiranës”. Shpallja e fituesve kaloi në dy faza.
Në total për programin aplikuan 2,337 individë, ku u përzgjodhën rreth 42% e tyre që plotësonin dokumentacionin e kërkuar nga programi për subvencionimin e interesit të kredive, si dhe limitin e lejuar të të ardhurave mujore. Programi u jep përparësi familjeve të reja, të rinjve nën 40 vjeç dhe familjeve njëprindërore me fëmijë.
ANKIMIMI
Ndërsa individët apo familjet që nuk janë shpallur përfitues nga programi social “Subvencionimi i interesave të kredisë”, kanë të drejtën e ankimit administrativ, pranë kryetarit të bashkisë, brenda 5 ditëve pune nga momenti i shpalljes publike të listës së përfituesve. Ankimi duhet të depozitohet pranë zyrave të Bashkisë Tiranë dhe përcillet pranë Drejtorisë së Përgjithshme Juridike, Aseteve dhe Licencimit, e cila së bashku me dosjen e ankuesit ia paraqet kryetarit të bashkisë, i cili brenda 7 ditëve pune del me vendim në lidhje me ankimin e paraqitur nga ankuesit.
Përmes programit të subvencionimit të kredive për shtëpi, përfituesit marrin kredi në vlera të ndryshme, bazuar në numrin e anëtarëve. Shuma minimale e kredisë nis nga 5,5 milionë lekë për 1 persona. Për 2 persona, për strukturë apartamenti 1+1 vlera e financimit është 6,8 milionë lekë. Për një hyrje 2+1 lëvrohen 10 milionë lekë dhe për apartament 3+1 për një familje mbi 5 anëtarë lëvrohen 12,4 milionë lekë kredi.
Fazat e përzgjedhjes së fituesve, 954 aplikues nuk përmbushën kriteret
Në projektvendim shpjegohet se në fazën e parë u shpallën 2,337 aplikime janë shpallur fituese, ndërsa 954 aplikime nuk kanë kaluar kriteret e përcaktuara. Faza e parë konsiston me paraqitjen e aplikimit të çdo aplikanti/ familje, nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania” (Faza 1), brenda 30 ditëve kalendarike nga njoftimi publik për hapjen e thirrjes, duke zgjedhur shërbimin “Kërkesë për të përfituar nga programet e strehimit social. Të gjithë qytetarët e shpallur fitues duhet të plotësonin dhe dorëzonin formularin e strehimit elektronikisht në portalin e-Albania, duke bashkëngjitur dokumentacionin e kërkuar. Dokumentet duhet të dorëzoheshin nga data 4 shkurt deri më 4 mars 2025, pranë Sektorit të Informimit dhe Shërbimeve për Qytetarët në Bashkinë Tiranë, ose me postë, në adresën zyrtare të Bashkisë Tiranë.


