Kosovë, hapet Panairi Ndërkombëtar i Turizmit

Data:

Shpërndaje:

Është hapur në Prishtinë Panairi Ndërkombëtar i Turizmit “Kosova 2025”, raporton Anadolu.

Në panair marrin pjesë mbi 340 kompani vendore dhe ndërkombëtare të industrisë së turizmit nga vendet e rajonit, Evropës, por edhe nga e gjithë bota, përfshirë kompani nga Türkiye, të cilët po prezantojnë ofertën e tyre turistike.

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe e Tregtisë, Rozeta Hajdari, duke folur për turizmin në Kosovë, tha se numri i turistëve në Kosovë katër vitet e fundit ka shënuar rritje për 50 për qind, krahasuar me periudhën 2017–2020.

“Vetëm në këtë mandat gjatë vitit 2021-2024 kemi rritje për 50 për qind të numrit të turistëve në krahasim me vitet 2017-2020. Prandaj, me përkushtim nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, miratuam strategjinë e turizmit 2030 me vizion të qartë që ta zhvillojmë Kosovën si një destinacion të qëndrueshëm dhe konkurrues në rajon”, theksoi Hajdari.

Hajdari tha se bashkëpunimet ndërkombëtare dhe organizimi i ngjarjeve promovuese kanë ndikuar në rritjen e dukshme të turizmit dhe përmirësimin e imazhit të Kosovës, derisa shtoi se “bukuritë natyrore duhet të ruhen për gjeneratat e ardhshme, duke ofruar përvoja mbresëlënëse për të huajt”.

Edhe kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, tha se viti i kaluar në Kosovë u mbyll me një rritje prej 36.8 për qind në numrin e turistëve dhe shprehu pritjet që edhe ky vit të jetë i suksesshëm.

“Filluam këtë panair me 60 kompani para katër vjetësh, ndërsa sot kemi mbi 340 kompani nga 16 shtete, jo vetëm nga Ballkani dhe Evropa, por nga e gjithë bota. Sot kemi përfaqësues edhe nga Kanadaja, Norvegjia, Austria dhe shumë vende tjera”, theksoi Hoti.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, tha se Prishtina e sheh turizmin si një sektor me rëndësi. “Për këtë arsye edhe ne kemi ndarë buxhet për të investuar në sektorin e turizmit. Synimi ynë është të krijojmë një mjedis edhe më të favorshëm për investime të ndryshme dhe zhvillim të këtij sektori”, theksoi Rama.

Panairi Ndërkombëtar i Turizmit “Kosova 2025”, i organizuar me mbështetjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe nën përkujdesjen e Komunës së Prishtinës, do të jetë edhe nesër, më 11 prill.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Artikuj të ngjajshëm

Nikolloski: Qytetarët nuk duhet të blejnë banesa para se të ndërtohen, çmimet aktuale janë të fryra

Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski thotë se çmimet e larta të banesave në këtë moment janë të fryra...

Rrezik për ekonomi dhe furnizim: Kamionët bllokojnë kufijtë e Ballkanit

Të hënën në mesditë do të ketë bllokadë të plotë për hyrje dhe dalje në të gjitha pikat...

Jeta bëhet luks, 66 mijë denarë për mbijetesë

Për vetëm një vit, shporta minimale e llogaritur nga sindikatat është shtrenjtuar për gati 3.000 denarë. Krahasimi mes...

EShS: Paga mesatare në nëntor ishte 45.961 denarë

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, paga mesatare mujore neto e paguar për një të punësuar në nëntor 2025...