Në aeroportin e Ohrit, “Shën Apostull Pali” sot ateroi aeroplani i parë i aviokompanisë “”Turkish Erllajns” në linjën e re të rregullt nga Stambolli për në Ohër.
Në solemnitetin me rastin e fluturimit inaugurues, morën pjesë mysafirë të shumtë, mes të cilëve kryeministri Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolovski, drejtori kryesor ekzekutiv i “TAV Aeroporte” Serkan Kaptan, drejtoi kryesor ekzekutiv i “Turkish Erllajns”, Bilal Ekshi, ambasadori turk, Fatih Ulusoj, kryetari i komunës së Ohrit, Kirill Pecakov, përfaqësues të tur-operatorëve të kapaciteteve të hoteleve në rivierën e Ohrit dhe Strugës.
Të pranishmëve iu drejtua kryeministri Mickoski, i cili tha se zhvillimi i linjave të reja ajrore nuk është vetëm çështje teknike, por investim strategjik në të ardhmen e ekonomisë kombëtare, turizmit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Sipas tij, vendi me lokacionin e tij strategjik në Ballkan, ka potencial të bëhet qendër e rëndësishme e trafikut ajror. Prandaj, synimi i Qeverisë është që në mënyrë aktive, siç tha ai, të punojë në vendosjen e linjave të reja ajrore, inkurajimin e kompanive me buxhet të ulët, modernizimin e aeroporteve dhe promovimin e vendit si qendër aviotransportuese.
“Vendosja e linjave të reja ajrore nënkupton lidhje më të shpejta dhe më të lehta me botën, rritje të turizmit, mundësi të reja ekonomike dhe përmirësim të imazhit të vendit tonë. Vendi ynë ka potencial të madh turistik. Nga malet piktoreske, liqenet e bukura dhe trashëgimia e pasur kulturore, tek ngrohtësia dhe mikpritja e qytetarëve tanë – e gjithë kjo e bën Maqedoninë destinacion tërheqës për vizitorët vendas dhe të huaj. Prandaj, Qeveria jonë është duke punuar në mënyrë aktive në krijimin e politikave dhe masave që do të inkurajojnë sektorin e turizmit”, tha Mickoski.
Me këtë rast, siç tha ai, po investohet në rrugë, aeroporte dhe lidhje hekurudhore, si dhe po punohet për promovimin e vendit si destinacion turistik me mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme turistike.
“Qëllimi ynë është i qartë – ta bëjmë Maqedoninë jo vetëm destinacion për t’u vizituar, por edhe vend ku turistët do të kthehen përsëri dhe përsëri. Hapi i sotëm është vetëm fillimi. Besojmë se me përpjekje të përbashkëta, do të krijojmë një Maqedoni më të fortë, më të qasshme dhe të lidhur globalisht”, tha Mickoski.


