Elon Musk njoftoi lançimin e “Baby Grok”, një versioni të ri të chatbot-it të tij të inteligjencës artificiale Grok, i dizajnuar posaçërisht për fëmijë. Ky aplikacion do të ofrojë përmbajtje miqësore dhe të sigurtë për përdoruesit më të vegjël, duke synuar të adresojë shqetësimet që kanë lindur nga versionet e mëparshme të Grok.
Musk bëri njoftimin në platformën e tij sociale X, duke treguar se kompania mëmë xAI po punon për krijimin e këtij produkti të ri, të cilin e quajti “një aplikacion i dedikuar për përmbajtje miqësore për fëmijë”. Megjithatë, ai nuk dha detaje të mëtejshme lidhur me funksionalitetin apo datën e lëshimit të Baby Grok.
Lajmi vjen pas një vale kritika ndaj chatbot-it Grok, i cili është përballur me reagime të forta për përgjigje antisemitike dhe përmbajtje të tjera problematike. Për shkak të këtyre reagimeve, përdorimi i Grok u kufizua në Turqi, ndërsa versioni aktual i aplikacionit është i klasifikuar për përdorues të moshës 12 vjeç e lart, duke i lejuar fëmijët më të vegjël të kenë akses në përmbajtje që nuk janë gjithmonë të përshtatshme.
Përmes këtij versioni të ri, Musk synon që Grok të jetë më i sigurt dhe më i përshtatshëm për fëmijët, duke iu bashkuar kështu kompanive si Google dhe OpenAI, të cilat kanë zhvilluar platforma të inteligjencës artificiale të dedikuara për përdorues të rinj.
Në një lançim të mëparshëm, Musk kishte deklaruar se Grok 4, modeli më i avancuar i platformës, është në gjendje të kryejë punë akademike “të nivelit pasdoktorature” në çdo fushë, por sfidat me përmbajtjen e saj vazhdojnë të jenë një shqetësim për përdoruesit dhe autoritetet.


