“Maqedonia po hyn në një fazë të re të transformimit ekonomik, me fokus të qartë në investime, dixhitalizim dhe stabilitet fiskal”, tha ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska në fjalimin e saj hyrës në hapjen e Samitit Ekonomik të Stambollit 2025, i cili këtë vit mbahet më 11 dhe 12 dhjetor me moton “Ekuilibër i ri dhe bashkëpunim global”.
Eventi mblodhi së bashku hartuesit e politikave ekonomike, institucionet financiare ndërkombëtare, përfaqësuesit e komunitetit akademik dhe sektorit të biznesit nga rajoni dhe Evropa, me qëllim që të shqyrtojnë çështjet kryesore që lidhen me ndryshimet ekonomike globale, reformat e nevojshme dhe krijimin e partneriteteve të reja në një botë të mbushur me sfida dinamike.
Në fjalimin e saj, ministrja theksoi se ekonomitë moderne përballen me presione të fuqishme, nga rreziqet gjeopolitike deri te goditjet energjetike dhe teknologjike, prandaj vendet duhet të punojnë në mënyrë aktive për të krijuar sisteme të përshtatshme dhe rezistente.


