ANALIZË: Çmimet globale të ushqimeve në rënie kurse në RMV ka rritje

Data:

Shpërndaje:

Sipas vlerësimeve të Qeverisë, ky vit do të jetë një vit i çmimeve “më të lira” – me një përqindje të parashikuar të inflacionit prej 2,2%. Ky skenar optimist megjithatë është nën hijen e rreziqeve të vjetra dhe të reja, nga lufta në Ukrainë e deri te njoftimet e presidentit të ri të SHBA-ve, Trump-it, për vendosjen e barrierave doganore dhe tarifore për BE-në dhe Kinën. Ndërkohë, indeksi global i ushqimit është në rënie – ndërsa në vend statistikat kanë shënuar rritje, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Rritja më e madhe e kostove për frutat, perimet, sheqerin, kafen….

Sipas të dhënave të reja nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), viti i kaluar krahasuar me vitin 2023 ka përfunduar me një rënie të indeksit të çmimeve të ushqimeve për 2,1%. Në të njëjtën periudhë të analizuar, kostot e jetesës në vend vetëm për ushqim janë rritur për 2,7%. Analiza krahasuese e bërë nga “Portalb”-i duke i përdorur të dhënat nga Indeksi i Çmimeve të shportës së produkteve ushqimore të tregtuara ndërkombëtarisht, të cilin e mat FAO dhe Indeksi i Kostove të Jetesës së ESHS-së, tregon se viti i kaluar 2024, megjithatë, për qytetarët tanë ka qenë e vështirë në aspekt të inflacionit, duke pasur parasysh se se në nivel vjetor ka pasur rritje të çmimeve për një pjesë të madhe të produkteve ushqimore bazë.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Konkretisht, indeksi i çmimeve të drithërave në korniza globale, në nivel vjetor, është ulur për 13,3%, ndërsa në vend, në të njëjtën periudhë, kostot e jetesës për bukën dhe drithërat janë rritur për 0,8%. Një rënie më të ndjeshme ka në indeksin e çmimit të sheqerit. Në tregun global në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023 ka një rënie prej 13,2%, kurse në të njëjtën periudhë në tregun vendas kostot e jetesës për sheqer (mjaltë, çokollatë) janë rritur për 4,5%.

Sipas të dhënave të FAO-s, viti i kaluar u mbyll me rritje të indeksit të çmimeve të mishit, produkteve të qumështit dhe vajit. Te ky lloj i produkteve edhe statistikat vendase regjistrojnë një rritje, e cila sipas vlerësimeve të qeverisë do të ishte më e lartë nëse nuk do të kishte pasur “presion” për uljen e çmimeve para festave të Vitit të Ri.

Të dhënat e reja statistikore tregojnë për çmime marramendëse të frutave për 7,8% dhe të perimeve për 7,5%. Një rritje më të ndjeshme prej 7,2% ka te kafja, pastaj 5,8% te pijet joalkoolike, 9,7% te vera dhe 9% te duhani.

Stabilizimi i çmimeve në vitin 2025, por në rrezik… 

Institucionet financiare vendase dhe të huaja parashikojnë se në këtë vit të ri ekonomik pritet stabilizim i çmimeve, që do të rezultojë me rënie të inflacionit. Edhe në Raportin e ri të BPM-së, vihet re se këtë vit çmimet e ushqimeve dhe të metaleve pritet të ulen, por nën rrezikun e njoftimeve të presidentit të ri të SHBA-ve, Trump-it, për t’i shpallur “luftë” doganore Kinës dhe Evropë.

“Për sa i përket çmimeve të metaleve dhe të produkteve ushqimore, për vitin e ardhshëm janë bërë korrigjime në drejtim rënës, ndërkohë që çmimet e naftës janë thuajse të pandryshuara në kushtet e pasigurisë nga tarifat e paralajmëruara në SHBA, të cilat mund të çojnë në rritje të tensioneve gjeopolitike. veçanërisht me Kinën, dhe kërkesë të reduktuar” – thuhet në raport.

Sipas vlerësimeve të reja buxhetore, inflacioni global këtë vit do të arrijë në 4,3%.

“Pritet një reduktim më i shpejtë te ekonomitë e zhvilluara në krahasim me vendet në zhvillim. Megjithatë, gjatë uljes së inflacionit priten edhe sfida të caktuara. “Edhe pse çmimet e mallrave po stabilizohen, çmimet e shërbimeve mbeten në nivele më të larta në shumë rajone” – thuhet në buxhetin për vitin 2025.

Vitin e kaluar, krahasuar me vitin 2023, kostot e jetesës në nivel shtetëror u rritën për 3,5%, dhe kjo përqindje megjithatë konsiderohet “e moderuar” duke pasur parasysh gjendjen e inflacionit të shfrenuar në vitet e mëparshme. Këtë vit, sipas Qeverisë, inflacioni i brendshëm do të ulet në 2,2%.

“Pritjet për uljen e inflacionit mbështeten nga stabilizimi i parashikuar i çmimeve të produkteve bazë ushqimore dhe i energjisë në tregun ndërkombëtar, ngadalësimi i inflacionit të huaj efektiv, si dhe presioni më i moderuar nga inflacioni bazë” – shkruan në dokumentin e buxhetit, ku megjithatë vihen në dukje edhe rreziqet që lidhen me luftën ende aktive në Ukrainë, e cila ka ndikim në ekonomitë evropiane, para së gjithash mbi Gjermaninë që është tregu ynë strategjik i eksportit, pastaj konflikti në Lindjen e Mesme, si dhe thellimi i ndarjeve gjeopolitike për shkak të paralajmërimeve për politika të reja tregtare që do të sjellin barriera të reja në qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Artikuj të ngjajshëm

Nikolloski: Qytetarët nuk duhet të blejnë banesa para se të ndërtohen, çmimet aktuale janë të fryra

Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski thotë se çmimet e larta të banesave në këtë moment janë të fryra...

Do të ulen çmimet e telefonisë, operatori i tretë mobil në RMV do të fillojë punën në fillim të vitit 2027

Agjencia për Komunikime Elektronike sot ua dorëzoi zyrtarisht licencën për punë përfaqësuesve të operatorit të ri mobil në...

Jeta bëhet luks, 66 mijë denarë për mbijetesë

Për vetëm një vit, shporta minimale e llogaritur nga sindikatat është shtrenjtuar për gati 3.000 denarë. Krahasimi mes...

Qytetarët dhe bizneset në Maqedoni u kanë borxh bankave 9 miliardë €!

Qytetarët dhe sektori i biznesit u detyrohen mbi 9 miliardë euro kredi bankave vendase, ndërsa kursimet kanë arritur...