Aktiviteti ndërtimor në Maqedoninë e Veriut shënon rritje. Gjatë muajit gusht janë lëshuar 333 leje ndërtimi, që paraqet rritje prej 18,9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave zyrtare, me këto leje parashihet ndërtimi i gjithsej 1.030 banesave të reja në vend.
Vlera e parashikuar e objekteve të raportuara ka arritur në 21,7 miliardë denarë, ose mbi 354 milionë euro, duke shënuar rritje prej 315,5 për qind në nivel vjetor.
Shkupi vazhdon të jetë qendra kryesore e ndërtimeve. Nga gjithsej 333 lejet e lëshuara në gusht, 105 i përkasin Rajonit të Shkupit.
Sipas strukturës, 224 leje janë për ndërtime të reja, 91 për rikonstruksione, ndërsa 18 për objekte të infrastrukturës dhe ndërtime të ulëta. Banesat e planifikuara do të kenë një sipërfaqe të përgjithshme të shfrytëzueshme prej 80.530 metrash katrorë.
Rritja e madhe e vlerës së investimeve lidhet kryesisht me projektin e ndërtimit të segmentit të autostradës A4, që lidh pikën kufitare Bllacë me Shkupin.
Sa u përket investitorëve, personat fizikë dominojnë për nga numri i lejeve të miratuara. Prej tyre, 231 projekte, ose 69,4 për qind, janë iniciuar nga individë, ndërsa 102 projekte, përkatësisht 30,6 për qind, nga kompani dhe subjekte afariste.
Të dhënat tregojnë se, krahas investimeve të mëdha infrastrukturore dhe ndërtimeve të banesave, ndërtimi individual i shtëpive dhe rikonstruksionet vazhdojnë të përbëjnë një pjesë të rëndësishme të aktivitetit ndërtimor në vend.


