Shfrytëzimi i energjisë hidrike që fshihet në jetën e përditshme është një praktikë e njohur tashmë në shumë metropole botërore, ku synimi është të identifikohet dhe të vihet në përdorim çdo potencial ekzistues për t’u integruar në sistemin elektroenergjetik. Instalimet ujësjellëse dhe stacionet e pastrimit të ujërave janë një ndër këto burime të nëndheshme të energjisë. Në çdo qytet, uji kalon nëpër kilometra të tëra tubacione për të mbërritur te konsumatori. Rrjeti është nën presion të vazhdueshëm, i cili për arsye sigurie shpesh reduktohet dhe më pas lirohet, duke u humbur pa u shfrytëzuar. Energjia që përftohet përfundon zakonisht në formë të nxehtësisë dhe turbulencave në tuba.
Megjithatë, gjatë dekadës së fundit në Europë, kjo energji e humbur po shndërrohet në energji elektrike. Në tubacione po instalohen turbina të vogla që e kthejnë presionin e tepërt të ujit në rrymë elektrike. Ky qasje njihet si “in-pipe hydro”, dhe ekziston në dy forma kryesore: mikroturbina kompakte dhe sisteme ku pompat funksionojnë si turbina kur uji rrjedh në drejtim të kundërt. Të dyja këto zgjidhje gjenerojnë energji të mjaftueshme për të furnizuar, për shembull, vetë stacionet e pastrimit të ujit.
Dy përfitime të mëdha nga një sistem i vetëm
Përparësia kryesore e këtij sistemi është që ai funksionon në infrastrukturën ekzistuese – nuk nevojiten investime të mëdha për ndërtim të ri. Së dyti, turbina ndihmon në rregullimin e presionit, duke e mbajtur atë të qëndrueshëm dhe të sigurt për rrjetin. Me një presion më të qëndrueshëm, tubacionet pësojnë më pak stres, zvogëlohen rrjedhjet dhe zgjatet jetëgjatësia e infrastrukturës. Kështu, qyteti përfiton njëkohësisht energji dhe një rrjet ujësjellësi më të mirë.
Përvoja evropiane tregon se këto sisteme janë testuar dhe zbatuar në praktikë tashmë që prej më shumë se një dekade. Në Itali, afër Palermos në Siçili, në një rrjet të vogël qytetës, është testuar zëvendësimi i reduktorëve me “pompa si turbina”, me rezultate që tregojnë potencial të shpërndarë për gjenerim të energjisë, pa ndikuar në presionin e rrjetit. Studime të ngjashme janë zhvilluar edhe në Portugali, përgjatë rrjedhës nga burimi Alviella drejt Lisbonës, ku është ndërtuar një model që e bën sistemin të vetëqëndrueshëm. Instalimi i turbinave të vogla në tubacionet e transportit siguron energji të pastër, pa ndërprerë furnizimin me ujë.
Në Alicante, Spanjë, është vendosur një pikoturbinë në daljen e stacionit të pastrimit të ujërave të ndotura për të demonstruar që edhe këto ujëra mbartin energji hidrike të shfrytëzueshme, përmes rënieve të qëndrueshme.
Në Zvicër, qyteti Fribourg përfaqëson një model të përshtatshëm për zonat alpine, ku furnizimi me ujë gjeneron ndërmjet 5 dhe 25 kilovat energji për çdo pikë, dhe ndihmon në mbajtjen e presionit të rrjetit në nivele të baraspeshuara. As Gjermania nuk qëndron pas në zbatimin e kësaj teknologjie.
Prodhim i qëndrueshëm, aty ku energjia konsumohet
Një aspekt shumë i rëndësishëm është fakti që profili i prodhimit të këtyre sistemeve është stabil. Aty ku energjia prodhohet – zakonisht edhe konsumohet, si në stacionet e pompave apo objektet për trajtimin e ujit, duke shmangur humbjet në transmetim dhe duke ulur nevojën për të blerë energji nga jashtë.
Nga trend në praktikë të zakonshme
Sipas këtyre përvojave, shfrytëzimi i kësaj energjie po kalon nga trend në rutinë. Dhjetëra qytete në të gjithë Europën tashmë janë në faza të ndryshme të testimit apo përdorimit të këtyre zgjidhjeve in-pipe, duke arritur prodhim lokal të energjisë dhe një rrjet më të qëndrueshëm të ujësjellësit. Procesi fillon me një analizë të shkurtër që operatorët e sistemeve e realizojnë për disa javë, në vendet ku zakonisht reduktohet presioni – si p.sh. reduktorët, stacionet e pompave apo zonat me rënie të qëndrueshme të nivelit.
Më pas, identifikohen 3–5 pika ku do të vendosen turbina në paralel me pajisjet ekzistuese, pa rrezikuar furnizimin. Shtohen sisteme monitorimi (SCADA), dhe matet sa kilovat-orë janë prodhuar, sa janë reduktuar presionet maksimale dhe rrjedhjet, dhe sa para janë kursyer. Efekti më i madh arrihet kur energjia konsumohet në vend (si për pompat apo aeratorët), dhe nëse ka tepricë, ajo mund të injektohet në rrjet nëse rregulloret e lejojnë.
Ky “paketë mikroskopike” me disa pika e shndërron idenë në një praktikë konkrete: një shtresë e qëndrueshme energjie vendore dhe një rrjet ujësjellësi më i qëndrueshëm – pa diga dhe pa ndërtime të mëdha.
Shembuj nga SHBA – mikro-turbina që furnizojnë komplekse sportive
E njëjta praktikë është në zbatim edhe në SHBA. Në Portland, janë instaluar katër turbina në tubacionin kryesor të ujit. Sistemi prodhon rreth 900 megavat-orë në vit, që mjafton për të furnizuar rreth 100 familje.
Në qytetin fqinj Hillsboro, turbina është instaluar direkt në një reduktor presioni dhe prodhon mbi 200 mijë kilovat-orë në vit. Kjo energji mbulon konsumin e një kompleksi sportiv lokal, duke ulur ndjeshëm faturën e energjisë elektrike për institucionin publik dhe pa ngarkuar rrjetin e energjisë.
Këto sisteme zakonisht janë të vogla, me kapacitet nën 1 megavat për vendndodhje. Nuk ruajnë ujë, nuk kthejnë rrjedhën e ujit mbrapsht dhe nuk kanë rezerva të mëdha. Forca e tyre qëndron në shtrirjen gjeografike dhe shpërndarjen – në vend të një dige të madhe, krijohen shumë pika të vogla energjetike, të vendosura aty ku rënia e presionit është e qëndrueshme.
Ndikimi në sistemin elektroenergjetik
Ndikimi është lokal, por i qëndrueshëm. Prodhimi ndodh “në afërsi të konsumatorit”, pra pranë stacioneve të pompimit, impianteve të pastrimit të ujit apo komplekseve sportive – gjë që ul kostot e transformimit dhe transmetimit të energjisë. Së dyti, pajisjet e instaluara njëkohësisht menaxhojnë presionin në rrjet, duke ulur humbjet e ujit dhe stresin operativ të tubacioneve. Nga pikëpamja rregullatore, këto sisteme trajtohen si burime të vogla të energjisë së rinovueshme, dhe përfshihen në skema të veçanta ligjore dhe mbështetëse.
Energjia hidrike e fshehur në tubacionet e ujësjellësit është një mundësi e rrallë, ku thjeshtësia inxhinierike shndërrohet në përfitime konkrete: më shumë energji lokale, më pak presion mbi rrjetet dhe fatura më të ulëta të energjisë për operatorët e sistemeve.
Përvoja nga qytetet që tashmë e kanë zbatuar këtë teknologji tregon një rrugë të qartë dhe të efektshme:
- analizë e shpejtë e rrjetit (skanimi i pikave me potencial),
- zgjedhja e disa pikave të para për instalim,
- matje të rezultateve,
- dhe shtrirje graduale të sistemit.
Kjo e bën teknologjinë ideale për hapa të vegjël, por të sigurt: çdo turbinë e re është një burim i ri stabil energjie për qytetin dhe një zonë ujësjellësi më mirë e menaxhuar.
Shndërrimi i presionit të humbur në energji të dobishme sjell përmirësim të shërbimeve, ulje të kostove operative dhe një integrim më harmonik të burimeve të rinovueshme në jetën e përditshme — rryma që tashmë rrjedh, më në fund vihet në punë.


